Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të ushtrojnë presion ndaj Serbisë për deklasifikimin e dokumentacionit që lidhet me krimet e luftës në Kosovë.
Gjatë vizitës në Kalludër të Vogël të Zubin-Potokut, ku po zhvillohen gërmime në një lokacion të dyshuar si varrezë masive, Kurti tha se, në vend që Beogradi të hapë arkivat, po arreston persona që vite më parë kishin dëshmuar për krimet e luftës të kryera në Kosovë.
Sipas tij, në Serbi po arrestohen njerëz nën akuza për spiunazh vetëm pse para dy dekadash kishin informuar UNMIK-un dhe organizata të tjera ndërkombëtare për krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë.
Kurti përmendi edhe dosjen e Brigadës së Motorizuar 38 të Ushtrisë Jugosllave, për të cilën tha se lidhet me masakrat e kryera në Kosovë, veçanërisht në Drenicë.
