Shqetësimet për respektimin e të drejtave të njeriut në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë janë rikthyer në vëmendjen publike, pas deklaratave të fundit të familjarëve të ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi dhe ish-pjesëtarit të UÇK-së, Nasim Haradinaj.
Vajza e Jakup Krasniqit, Gresa Krasniqi, ka bërë të ditur se babai i saj ka refuzuar një vizitë të mjekëve në Hagë, duke paralajmëruar se do të vazhdojë të mos pranojë kujdes mjekësor nga institucionet e atjeshme.
Sipas saj, gjatë një bisede telefonike, Jakup Krasniqi i kishte treguar se kishte refuzuar kontrollin mjekësor.
“Jam këtu pa të drejtë, më është mohuar çdo e drejtë njerëzore tash e gjashtë vjet, prandaj nuk më duhet as kujdesi i tyre. Ju të jeni të informuar se unë nuk do të pranoj më asnjë kujdes nga ana e tyre”, citohet të ketë thënë Krasniqi, sipas njoftimit të vajzës së tij.
Ndërkohë, ish-pjesëtari i UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka ngritur pretendime për parregullsi financiare gjatë kohës sa ishte i burgosur në Hagë, duke thënë se atij dhe personave të tjerë u janë marrë para nga llogaritë e tyre private.
Në një intervistë të dhënë pas lirimit, në emisionin “Debat Plus”, Haradinaj kishte deklaruar se tetë të burgosurve u ishin marrë shuma të konsiderueshme përmes faturimeve të dyfishta të ushqimit dhe produkteve që, sipas tij, nuk i kishin porositur.
“Minimumi, secilit prej nesh i janë vjedhur të paktën 1 800 euro”, kishte deklaruar Haradinaj, duke pretenduar se shuma e përgjithshme për tetë persona arrinte në rreth 16 mijë euro.
Ai i përsëriti këto pretendime edhe në një paraqitje të fundit në Kanal 10, ku kritikoi gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, ishte trajtuar ankesa e të burgosurve nga Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara.




