Përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe shefi i UNMIK-ut, Peter Due, në raportin e tij të fundit për Kosovën, i cili mbulon periudhën nga 16 marsi deri më 15 shtator 2026, ka folur për situatën në Kosovë gjatë kësaj periudhe.
Ai foli për protestat që u zhvilluan së fundmi në Prishtinë pas vendimit të 16 shtatorit nga Gjykata Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas tij, Policia e Kosovës, përgjithësisht, është sjellë në mënyrë profesionale gjatë gjithë kohës sa janë zhvilluar protestat.
Megjithatë, ai tha se koordinimi dhe ndarja e informatave me Kombet e Bashkuara ishte joadekuate.
“Policia e Kosovës njoftoi organizatat tjera ndërkombëtare, por jo Kombet e Bashkuara, një shembull i bashkëpunimit të kufizuar që autoritetet në Prishtinë i japin UNMIK-ut. Koordinimi operacional midis aktorëve ndërkombëtarë ishte më pak se optimal”, u shpreh shefi i UNMIK-it.
Due tha se këto çështje i ka ngritur edhe me autoritetet e Kosovës e edhe me partnerët ndërkombëtarë.




